Humbja me Kastriotin, rikthen “ethet” e mbijetesës te Tirana
Humbja me Kastriotin hap skenare të reja në sprintin final të edicionit për Tiranën. Bardheblutë pa diskutim janë një nga skuadrat me futbollin më dëfryes në 2019-ën, por humbja në “Redi Maloku” rikthen ethet e mbijetesës.
Dështimin e parë për këtë viti kalendarik në Superiore, Tiranës ia shoqëron edhe kërcënimi nga rivalët. Pavarësisht se ecuria e mirë dhe gjendja e ekipit janë një garanci për të mbyllur sezonin me pozitivitet, shqetësimi tek 24 herë kampionët është prezent.
Diferenca prej 5 pikësh me Kastriotin dhe 1 me Luftëtarin nuk japin garanci të mëdha, kjo duke parë edhe eksperiencën e sezonit të fundit në Superiore, kur njohën rënien nga elita e futbollit shqiptar.
Situata është pak a shumë e njëjtë, edhe pse këtë edicion Tirana po prodhon një lojë shumë të mirë dhe për më tepër ka sulmin e 3 më të mirë të kampionatit, dy gola më pak se Teuta dhe një më pak sesa Partizani kryesues.
Tregues që skuadra prodhon futboll duke shfaqur probleme në repartin e prapavijës, me shifrat që flasin për mbrojtjen e 4 më të dobët. Pikërisht këto statistika nuk i lejojnë lojtarët dhe stafin teknik të Tiranës që të jenë të qetë në këtë fazë të fundit të sezonit.
Në 11 ndeshjet e mbetura, 5 prej tyre Tirana i luan në shtëpi, ku përfshihet përballja me Kastriotin e vendit të parafundit, ndërsa janë 6 transferta, midis të cilave ajo e fituar në tavolinë me Kamzën 0-3 dhe ajo e Gjirokastrës me Luftëtarin. Llogaritë për bardheblutë janë ndeshje pas ndeshje edhe pse objektivat në këtë fund sezoni janë të ndryshme nga ato që paraqet tabela e klasifikimit.



