Humbja me “poker” kundër Liverpool, Hasenhüttl: Faji im, gabova strategji
Të luash në “Anfield” kundër Liverpoolit është gjithmonë e vështirë. Southampton humbi 4-0 ndaj skuadrës së Jurgen Klopp, që arriti suksesin e katërt radhazi pa pësuar gol në shtëpi në të gjithë kompeticionet.
Armando Broja luajti si titullar ndaj “The Reds” dhe në një moment ishte afër golit. Trajneri i “Shenjtorëve”, Ralph Hasenhüttl u shfaq i zhgënjyer pas ndeshjes, duke pranuar se gaboi edhe ai vetë.
“Nuk ishte një fillim i lehtë për ne, në pjesën e parë nuk luajtëm ashtu siç donim, nuk prodhuam futbollin që kishim përgatitur. Sigurisht që nuk kishim strategjinë e duhur të lojës në pjesën e parë të ndeshjes.
Kundër Liverpool është e pamundur të mbrosh një kundër një, kështu që marr përsipër përgjegjësitë e mia për faktin që e rreshtova ashtu ekipin në fushë.
Në pjesën e dytë ndryshuam qëndrim dhe shkoi pak më mirë. Ia dolëm të krijojmë disa raste, por nuk i shfrytëzuam. Duhej dhe mund të kishim bërë më mirë”, deklaroi trajneri i Southampton.



