La Liga

Humbja në derbi me Realin, Oblak i irrituar: S’e di çfarë pa arbitri!

Atletico e Madridit humbi derbin me Realin në përfundim të një sfide që si çdo derbi i rëndësishëm lë pas polemika. Ancelotti fitoi me pragmatizmin e zakonshëm, por të zotët e shtëpisë ngrenë gishtin e akuzës ndaj të kuqit të Hermosos, që kur rezultati ishte 2-1 dhe me “Los Colchoneros” të shumtë në zonën e Realit, la fushën për një përjashtim të dyshimtë. Jan Oblak analizoi sfidën, duke deklaruar për mediat spanjolle:

“Ekziston gjithmonë një ndjesi e keqe kur humbet. Është gjithmonë e vështirë të dalësh nga fusha i mposhtur. Kjo sfidë na lë një shije shumë të hidhur. Kemi humbur një ndeshje shumë të rëndësishme, edhe pse nuk luajtëm aspak keq. Nuk besoj se skuadra e meritoi këtë disfatë, por futbolli ndonjëherë është i padrejtë. Reali u tregua i zoti për të shfrytëzuar rastet që pati, edhe pse mendoi më shumë për t’u mbrojtur. E mbyllin mirë fushën dhe kanë lojtarë shumë të shpejtë në sulm për t’u lëshuar në hapësirat që krijohen. Patën fatin që shënuan të dy golat në rastet që krijuan dhe që aty ishte gjithçka më e lehtë për ta”.

Sipas Oblak, goli i 1-2 erdhën shumë vonë dhe pastaj kartoni i kuq për Hermoson e mbylli faktikisht ndeshjen.

“Ndoshta pritëm shumë, por ishim aty, provuam dhe për mënyrën se si shkoi ndeshje, besoj se ishte mëkat që nuk barazuam dhe fituam. Pashë videon e përjashtimit të shokut tim të skuadrës. Duhet të them që arbitri ishte shumë pranë aksionit dhe, sinqerisht, nuk di të them se çfarë pa për të marrë atë vendim. Nuk duhej të kishte një karton të verdhë, kishte dhe 3 minuta dhe mund të ishim më të rrezikshëm në barazi numerike në një finale ku kundërshtarët tanë ishin në vështirësi për të na mbajtur. Të vjen keq ta humbasësh një ndeshje dhe kështu është akoma më e vështirë. Jam shumë i trishtuar”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency