Hummels flet për përjashtimin nga Gjermania dhe tregon pengun e tij të madh!
Mats Hummels ende nuk e kapërdin dot faktin që nuk do të jetë pjesë e kombëtares gjermane në të ardhmen, edhe pse po mësohet pak nga pak me këtë fakt. Ish-lojtari i Borussias së Dortmundit por edhe Boateng e Muller ishin tre lojtarët që në një seancë stërvitore të bavarezëve të para disa javëve mësuan lajmin e hidhur që nuk do të jenë më pjesë e kombëtares së pancerave.
Megjithatë, Humels në një intervistë për Sport Bild rrëfen se nuk i mban mëri trajnerit, edhe pse do donte që historia të shkonte ndryshe.
“Edhe unë bëj gjëra që i mërzitin të tjerët, ndaj nuk i mbaj mëri trajnerit. Jam menduar gjatë dhe kam kuptuar diçka: Ndoshta trajneri e kishte të vështirë të gjente rrugën e duhur për të na informuar për mbylljen e karrierës me kombëtaren, në një mënyrë që të gjithë të ishin të vetëdijshëm se gjithcka u bë si duhej“.
Natyrisht, Hummels e pranon se vendimi i Low ishte i vështirë për t’u pranuar.
“U ndjeva i mospërfillur. Thomas, Jerome dhe unë e ndjenim se mund të tregohej pak më shumë vlerësim për ne. Megjithatë, 8 vitet e mia me Gjermaninë ishin fantastike“.
Fantastike, por jo deri në fund, sepse Hummels e ka një peng të madh.
“Humbja ndaj Koresë së Jugut ishte një poshtërim për ne dhe ishte edhe faji im. Humba një rast ideal me kokë, po të shënoja do ndryshonte gjithçka, jo vetëm në Botëror, por edhe tani nuk do ndodhnin këto gjëra“.
E ardhmja? “Nuk e mendoj më kombëtaren për momentin, nuk e di në të ardhmen“.



