Humor e entuziazëm para derbit, Idrizaj projektohet në vend të Trashit
Partizani vijoi me entuziazëm stërvitjen e parafundit në prag të derbit të kësaj të premteje me Tiranën. Trajneri Skënder Gega i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion, madje dhe Lorenc Trashin, që do të mungojë në këtë përballje të madhe për arsye pezullimi.
Të vetmit futbollistë që u përgatitën të veçuar ishin Ardit Hila dhe Alesio Hyseni, pasi po vijojnë fazën e riaftësimit.
Për trajnerin Gega është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballje që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat. Për këtë arsye, tekniku I të kuqve fillimisht zhvilloi një bisedë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin.
Gega e ndau fillimisht skuadrën në tre grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve. Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të supersfidës së të premtes.
Sa i përket formacionit, në krahun e majtë në vend të Trashit mendohet të aktivizohet Hektor Idrizaj. Një natë para derbit të kuqtë nuk do të akomodohen në Elbasan, por në një hotel në periferi të Tiranës.



