Hysaj: Tifozët e Napolit e meritojnë titullin kampion
Të fitojë titullin kampion në këtë sezon me Napolin e tij. Është kjo ëndrra e mbrojtësit të kombëtares shqiptare Elseid Hysaj i cili në një intervistë për “Radio Kiss Kiss”, nuk fshihet kur deklaron se skuadra e Sarrit i ka të gjitha mundësitë për të bërë të lumtur tifozët napoletanë të cilët e dëshironë prej shumë kohësh një titull kampion që u mungon që nga koha e Maradonës. “ Fitimi i titullit kampion është një nga ato gjëra që duhet t’a provojmë dhe jo ta imagjinojmë. Tifozët tanë e meritojnë një trofe të tillë dhe ne do të bëjmë gjithçka për tua dhuruar këtë kënaqësi”, deklaroi Elseid Hysaj. Më pas kuqeziu foli edhe për njeriun e momentit te Napoli, belgun Dries Mertens por edhe për trajnerin Maurizio Sarri. “Mertens është shumë i fortë, prej 2 vitesh po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe dy golat ndaj Genoas e tregojnë këtë. Sarri? Është përmirësuar ndjeshëm në shumë aspekte dhe progreset duken. Që nga momenti që Sarri është këtu mbrojtja është përmirësuar”, shtoi në fund Elseid Hysaj.



