I afruar në minutat e fundit të merkatos, mbrojtësi prezantohet te Milan: I vogël luaja në tjetër rol!
Malick Thiaw ishte goditja përmbyllëse e Milanit në minutat e fundit të merkatos verore. Mbrojtësi u transferua nga Schalke 04 për shumën e shtatë milionë eurove dhe firmosi një kontratë pesëvjeçare me kuqezinjtë. Së fundmi, 21-vjeçari është prezantuar si një futbollist i Milanit ndërsa ka thënë edhe fjalët e para ku në konferencë theksoi se është mjaft ambicioz dhe se kërkon të mësojë më shumë.
“Kam nisur të luaj herët, që i vogël në rrugë me miqtë e mi. Pasioni më pas u kthye në profesion, por gjithsesi pasioni mbetet aty. Jam i lumtur që transferohem te Milan, e shoh si një krenari personale, një nder. Unë jam ambicioz dhe dua të rritem e të mësoj nga kultura e një vendi. Me Milanin pata kontakt në dimrin e kaluar, por kur Maldini u interesua sërish atëherë e kuptova se e kishte seriozisht dhe për mua ishte një konfirmim i rëndësishëm.
Maldini është një emblemë e klubit dhe unë duhet të tregoj tashmë ditë pas dite se ja vlej të jem këtu tek Milan. Përveç Maldinit, Milan në histori ka pasur gjithnjë mbrojtës të mëdhenj siç mund të përmend Nestën. Kur isha më i vogël unë luaja në një pozicion tjetër dhe më tërhiqte Ronaldinho e Kaka, e kam ndjekur gjithnjë Serie A.
Karakteristikat? Jam i zoti dhe i fortë në duele, mund ta luaj topin me shpejtësi dhe kam një fizik të mirë. Përjashtimi nga lista Champions? Për të bindur trajnerin Pioli të më vendosë në listë pas muajit janar do të duhen shumë gjëra, por unë do të vendos në dispozicion të trajnerit gjithçka”, u shpreh Thiaw.



