I biri i legjendës së Barçës: Lewandowski? Të ëndërrosh është falas
Në një ceremoni përurimi të një fushe të re, Jordi Cruyff, këshilltari teknik presidencial dhe sekretari teknik i ardhshëm i Barcelonës, foli për merkaton e klubit katalan, duke mos përjashtuar asnjë emër të rëndësishëm. As Haalandin dhe as Lewandowskin, të cilët janë më të pëlqyerit në klub për të përforcuar sulmin, pavarësisht mesazhit pesimist të presidentit Joan Laporta për lojtarin e Dortmundit.
“Unë nuk kam përjashtuar askënd. Nuk jam shumë i gatshëm të flas për emra. Do të ketë të tjerë që do të përgjigjen. E vetmja gjë që po bëni është se po mërzitni klubet ku ata luajnë. Ata janë të gjithë lojtarë të mëdhenj”.
I pyetur më konkretisht për Lewandowskin, Cruyff dha këtë përgjigje diplomatike:
“Ai është një lojtar që ka një kontratë. Të ëndërrosh është falas.”
Jordi Cruiyff nuk hezitoi t’i thurte lavde Realit Madridin, pas ndeshjes ndaj City-t në Champions League.
“E kanë atë cilësi sa i përket karakterit dhe mentalitetit: nuk dorëzohen kurrë. Duhet të kesh edhe pak fat. Kur është diçka e përsëritur, nuk është rastësi.”



