I brishtë dhe I pafat! Dembele dëmtohet përsëri, vjen “frenimi” i 13-të si katalanas
Mund të konsiderohet e pabesueshme, por është e vërtetë: Ousmane Dembele është dëmtuar sërish. Francezi u kthye të luante me Barcelonën për të parën herë këtë sezon në Champions League ndaj Dinamo Kiev, por klubi blaugrana ka njoftuar se 23-vjeçari ka sërish shqetësime fizike dhe nuk do të jetë i disponueshëm për stafin teknik për një periudhë të pacaktuar.
Katër muaj jashtë fushës dhe sërish një tjetër dëmtim. Dembele ka një shqetësim në këmbën e tij të majtë dhe do duhen të tjera ekzaminime për të përcaktuar kohën e rikuperimit. Dëmtimet janë kthyer në një makth për ish-lojtarin e Dortmund, i cili duhet të presë ende për të luajtur sfidën e parë me katalanasit në kampionatin spanjoll.
Që në momentin që zbarkoi në “Camp Nou” në verën e vitit 2017 për shumën e 135 milionë eurove, lojtari ofensiv është frenuar plot 13 herë dhe ka humbur 98 ndeshje, të gjitha për shkaqe dëmtimesh.
Problemet me gjurin, tërheqjet muskulare dhe shqetësimet në kyçe e kofshë, janë disa nga lëndimet që Dembele ka hasur gjatë eksperiencës së tij te Barcelona, ku i është dashur që të kryejë tre ndërhyrje kirurgjikale.
Skuadra katalanase do ketë dhe mungesën e Sergio Dest për takimin e radhës në kampionat me Celta Vigo, që luhet të shtunën (16:15). Anësori holandez ndjen dhimbje mesi dhe nuk do të jetë i pranishëm në transfertën galiciane.



