Featured

I konsideruar si pasardhësi i Pele dhe më i mirë se Di Maria, një nga zhgënjimet më të mëdha në futboll

Në botën e futbollit janë të shumtë talentet për të cilët pritshmëritë janë tejet të larta, megjithatë jo gjithnjë ata ia dalin t’i respektojnë ato dhe në fund për fat të keq dështojnë. Është ky edhe rasti i Freddy Adu, ganezit që u konsiderua në fillimet e karrierës së tij si pasardhësi i legjendës braziliane Pele, ndërsa te Benfica nuk ngurruan edhe ta konsideronin si më të mirë se Angel Di Maria.

Elozhet për Adu ishin të shumta, aq sa në një moment edhe Interi i drejtuar në atë kohë nga presidenti Moratti ishte gati të investonte para për të transferuar djaloshin kur ishte vetëm 10-vjeçar. Megjithatë, në fund gjithçka rezultoi një “flluskë sapuni” pasi Adu nuk u bë kurrë një futbollist i niveleve botërore.

Por si nisi nisi historia e Adu? Adu lindi në Ganë në vitin 1989, por shumë shpejt në moshën 8-vjeçare fitoi lotarinë amerikane dhe emigroi për në Shtetet e Bashkuara. Aty, Adu regjistrohet në akademinë e futbollit IMG Soccer Academy ku luan dhe shënon me shumicë.

Në këtë formë, DC United vë re talentin e djaloshit emigrant dhe e merr në skuadrën e parë, teksa Adu debuton në moshën 14-vjeçare në MLS, duke u shndërruar në futbollistin më moshën më të re që debuton elitën e futbollit amerikan. Adu konsiderohej si simbol i ringritjes së futbollit amerikan ndërsa karakteristikat teknike dhe pjesëmarrja në një spot publicitar me Pele, bëjnë që të vërshonin krahasimet me legjendën braziliane.

Kështu, kur ishte vetëm 14-vjeç e gjen veten në kopertinën e revistave më të famshme. Por, pas 13 golave të shënuar me DC United dhe Real Salt Lake, por edhe disa paraqitjeve të mira në Botërorin U20, vijnë sinjalet e para se diçka nuk shkon me djaloshin. Golat nisin të mungojnë dhe për një sulmues është diçka që “godet” aspektin psikologjik.

Gjithsesi, në vitin 2007, Benfica guxon dhe e transferon në Portugali. Sërish ka zhgënjim, Adu shënon vetëm dy gola ndërsa “lindin” edhe dyshimet e para rreth formës atletike dhe fizike të lojtarit edhe pse fillimisht në Portugali, e cilësuan si më të mirë se Angel Di Maria.

Nga ky moment, karriera e Adu vërtitet rreth ndryshimeve të shpeshtë të skuadrave. Monaco, Belenenses, Arīs Salonico, Çaykur Rizespor, Philadelphia Union, Bahia, Jagodina, KuPS, T.B. Rowdies e Las Vegas Lights. Praktikisht nuk shënon asnjëherë dhe luan gjithnjë e më pak ndërsa te Osterlen në Suedi (eksperienca e fundit në karrierë), trajneri thekson se Adu është një lojtar që maksimumi mund të luaj “futsal” pasi për futboll në fushë të madhe as nuk bëhet fjalë. Tashmë, Adu ka ndryshuar krejtësisht profesion dhe ka gjetur diçka të veçantë.

32-vjeçari shet urime të personalizuara të cilat persona të ndryshëm i blejnë për t’i uruar dikujt datëlindjen apo festa të ndryshme. Çmimet e urimeve që shet Adu variojnë nga pesë euro deri në qindra euro…

Një fund aspak i lumtur për një që 15-vite më parë cilësohej si një nga talentet më premtues të botës së futbollit, i krahasuar me Pele e Di Maria, ndërsa përfundoi edhe nën “radarët” e Inter.

Megjithatë, jo gjithnjë talenti është i mjaftueshëm për të arritur në nivele të larta në futboll, ndërsa puna, dedikimi, ana psikologjike por edhe fati janë tejet të rëndësishëm për karrierën e një futbollisti.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency