I magjepsur nga Theo Hernandez, Deschamps pranon gabimin: Duhet ta merrja më herët te Franca
Impakti i Theo Heranandez te Franca ka qenë i menjëhershëm. Mbrojtësi i Milanit i cili debutoi me gjelat vetëm në muajin shtator të këtij viti në ndeshjen ndaj Finlandës, ka shkëlqyer me skuadrën e Deschamps në 4 ndeshjet e para si titullar. Pasi spikati me një gol dhe një asist në Nations League, Theo shkëlqeu edhe në fitoren e thellë 8-0 ndaj Kazakistanit që solli edhe kualifikimin direkt të Francës në Botëror me dy asiste ndërsa ishte një nga lojtarët më aktivë në fushë.
Në përfundim të sfidës ndaj Kazakistanit nuk mund të mungonin edhe elozhet e trajnerit Deschamps për paraqitjet e Theo Hernandez, me trajnerin që ka pranuar gabimin duke theksuar se lojtari i Milanit duhet të ishte thirrur më herët në kombëtaren franceze. “Theo mund të kishte qenë që më herët pjesë e jona duke iu referuar cilësive që ka. Ai është shumë i përshtatshëm për sistemin tonë të lojës dhe është efikas në të dyja fazat e lojës. Luan shumë i relaksuar me Francën dhe kjo gjë më pëlqen. Kjo ndaj Kazakistanit ishte vetëm ndeshja e tij e 4-t me ne dhe deri tani ka qenë shumë solid me paraqitjet e tij”, theksoi Deschamps.



