I shënon 5 gola Kit Go, Shkëndija në çerekfinale të Kupës
Shkëndija e Tetovës kualifikohet lehtësisht në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë. Kuqezinjtë tetovarë fituan thellë 0-5 me Kit Go në Pehçevë në takimin e kthimit të fazës së 1/8-ave, teksa në sfidën e parë kishim triumfuar me rezultatin 2-0.
Shefit Shefiti me tre gola ishte figura qendrore e takimit, ndërsa listës së golashënuesve iu shtuan Mici dhe Samir Fazli (për këtë të fundit ishte goli i parë me fanellën e Shkëndijës). Trajneri Osmani ndeshjen e nisi me formacion të kombinuar, ndërsa duke llogaritur fitoren 2-0 në ndeshjen e parë historia e këtij dueli të 1/8 së finales mori fund që në minutën e dytë, kur Shefiti realizoi golin e parë.
Në vazhdim Mici dyfishoi rezultatin, ndërsa golin debutues me Shkëndijën e gjeti Samir Fazli në minutën e 28-të. Në fraksionin e dytë kuqezinjtë menaxhuan lojën dhe shtuan edhe dy gola tjerë me Shefitin (68’ dhe 90;) për fitoren bindëse 5-0.



