Icardi “bën për vete” Francën: Me talentet e PSG-së, gjithçka më e lehtë
Në ndeshjen e tij të tretë me fanellën e PSG-së, Mauro Icardi gjeti edhe golin e parë, madje me vlerë 3-pikëshe, pasi u dha fitoren kampionëve francezë në transfertën turke ndaj Galatasarayt, të vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi argjentinas nuk e fshehu dashurinë e krijuar për Parisin dhe klubin e qytetit, ndërsa tani ka filluar të bëjë për vete përveç tifozërisë së PSG-së, edhe shtypin sportiv francez, që ka komentuar me nota pozitive paraqitjen e ish kapitenit të Interit.
“Nuk jam akoma në 100% të formës time, por me golat dhimbja kalon më shpejt. Te PSG gjithçka shkon mirë dhe ambientimi po vjen me shpejtësi, pasi ka shumë futbollistë që flasin spanjisht në ekip dhe kjo më ndihmon shumë. Pastaj të luash me talente që dinë të lexojnë lojën një sekondë para kundërshtarit, është gjithçka më e lehtë për një sulmues”, deklaroi Icardi pas ndeshjes së djeshme.
Argjentinasi u transferua te PSG në huazim me të drejtë blerjeje në fund të sezonit dhe gjatë muajit të parë në kryeqytetin francez nuk e ka fshehur lumturinë, teksa përveçse po luan futboll, po shijon edhe shëtitjet në qytet, gjë që e tregon edhe në rrjetet sociale.



