Idrizaj: Shembulli jonë është Laçi, kundërshtarët japin 100% se jemi ekipi kampion
Teuta luan nesër ndaj Egnatias teksa në konferencë për shtyp ka folur mbrojtësi Hektor Idrizaj. Mbrojtësi i krahut të majtë thekson se tre pikët janë opsioni i vetëm për ta mbyllur vitin mirë, ndërsa shton se asgjë nuk është e pamundur për titullin pasi në kampionatin shqiptar dy apo tre ndeshje të mira ndryshojnë situatat.
Në formën më të mirë personale- “Është e vështirë ta cilësosh veten se në çfarë gjendje je, për këtë punë është stafi teknik. Në fillim ishte e vështirë se COVID-i, disa dëmtime të vogla dhe nuk isha në ritmin e duhur. Tani po e marrë veten, forma optimale në futboll nuk kapet asnjëherë ajo mbahet dhe përmirësohet ndeshje pas ndeshje”.
Çfarë nuk ka shkuar në ekip? “Është e vështirë se edhe historia e ka treguar se një ekip që fiton trofe, duhet të japë maksimumin në çdo moment. Edhe ndryshimet duan kohë, dhe ekipet kundërshtare japin më shumë se 100% pasi është klubi kampion përballë”.
Ndeshja ndaj Egnatias? “Ne vlerësojmë çdo ekip, por as nuk i mbivlerësojmë. Jemi ekipi kampion dhe futemi për tre pikët që na duhen për objektivat që ka klubi”.
Dështim pa tre pikët- “Në futboll çdo gjë është e mundur dhe duhet vlerësim maksimal se të gjitha ndeshjet tre pikë vlejnë ashtu si ndaj Tiranës, Partizanit edhe ndaj Egnatias, në fund për tre pikë luhet. Duhet ta mbyllim mirë vitin”.
Larg kreut- “Asgjë nuk është e pamundur, jemi ekipi kampion. Jemi pak mbrapa, por asgjë nuk është e pamundur, shembulli konkret është Laçi që e nisi keq dhe ja ku është tani. Me dy-tre ndeshje, ndryshon çdo gjë se ekipet nuk janë larg”, u shpreh Idrizaj.



