Ditë e veçantë për Ilir Dajën, “dhuratën” nga “demat” e pret në derbi
Ilir Daja pret një dhuratë të bukur në derbin e së hënës, përballë Tiranës. Pas një humbjeje dhe katër barazimeve radhazi, trajneri kryeqytetas kërkon me padurim suksesin në një ndeshje të madhe, që do t’i bënte të papërfillshëm hapat e gabuar të të kuqve në këtë fillim sezoni.
Këtë të mërkurë, trajneri i vetëm në Shqipëri që ka fituar titullar kampion me tri skuadra të ndryshme, Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun, feston 55-vjetorin, një ditëlindje që vjen në një moment delikat për “demat”, të cilët dhuratën më të bukur do të mund t’ia bëjnë në fushën e “Air Albanias”, të hënën e ardhshme.
Duke lënë mënjanë derbin, është një jetë e kaluar me futbollin, që nga hapat e parë në fund të viteve 70-të, te 10 vitet e kaluara si futbollist te Dinamo (1980-1990), e më pas me karrierën si trajner të nisur me titullin kampion tek Elbasani (2005-2006), për të vijuar po me trofenë me të lakmuar në vend në stolin e Dinamos (2007-2008).
Do të kalonte një dekadë (pas përvojave me Besës, sërish me Dinamon dhe më pas me Tiranën) që Ilir Daja të konfirmohej kampion i Shqipërisë, këtë herë në krye të një Skënderbeu me të cilin shkoi deri në grupet Europa League-s.
Një sezon te Flamurtari, sërish te Skënderbeu, më pas për herë të parë trajner i Partizanit. Është sezoni i dytë në stolin e të kuqve, të cilët për pak mund t’i shpallte kampionë në përfundim të një sezoni të pazakontë në kushtet e pandemisë dhe të një merkatoje të pezulluar në gjysmën e parë të kampionatit.
Ilir Daja ka fituar trofe të rëndësishëm në karrierën e tij, por veçanërisht statusin e një tekniku të aftë, që në moshën 55-vjeçare është vetëm në gjysmën e këtij rrugëtimi që shumë pak njerëz të këtij profesioni arrijnë të përshkojnë në nivelet më të larta.



