Kategoria Superiore

Ilir Daja: Në pjesën e dytë pashë Skënderbeun e vërtetë

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja u shpreh i kënaqur për fitoren ndaj durrsakëve, por ka rezerva për paraqitjen e ekipit në pjesën e parë të takimit.

“Jemi në rrugën e duhur, por nuk duhet të luajmë më si në pjesën e parë. I kemi përmirësuar gjërat ndjeshëm në pjesën e dytë. Nëse do të vazhdojmë të ruajmë këtë ritëm, mendoj që do t’ia dalim. Megjithatë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, pasi kampionati është i gjatë dhe kemi ende shumë punë për të bërë”, tha trajneri korçar.

Daja theksoi edhe njëherë ndikimin që kanë mungesat për shkak të dëmtimeve, por edhe intensiteti i lartë i ndeshjeve, që po i lodh futbollistët e tij.

“Është e vështirë të luash një ndeshje në çdo 3 ditë, sot nuk ndryshuam pothuajse asgjë nga sfida me Partizanin e Beogradit sepse kemi disa mungesa, por kur të rikuperojmë edhe këta futbollistë, do ta kemi më të lehtë të përballojmë kalendarin e ngjeshur, pasi duhet theksuar që kemi të dëmtuar disa lojtarë kryesorë”, tha tiranasi i pankinës korçare.

Në fund, Daja vlerësoi ekipin e tij, si më të mirin e Superligës, që ia ka dalë t’I imponohet çdo kundërshtari dhe nuk është vënë asnjëherë në vështirësi.

“Kemi vetëm një barazim në këtë fillim sezoni atë me Kamzën. Asnjë kundërshtar nuk na ka vënë në vështirësi, natyrisht për pjesën më të madhe të lojës, sepse ka patur fragmente. Të gjithë kundërshtarët duhet të vlerësohen maksimalisht, por ne kemi treguar se jemi më lart se çdo skuadër tjetër e Superiores. Pse penalltia u godit nga Muzaka? Ishte një zgjedhje e Sabien Lilajt që 11-metërshin e dytë ta godiste Gjergji”, tregoi Daja.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency