Serie A

Inter blindon Bastonin, kontratë deri më 2024-ën me rritje page

Zyrtarizimi i Simone Inzaghit nuk ka ardhur ende, ndoshta për faktin se trajneri italian është ende nën kontratë me Lazion deri më 30 qershor, megjithatë te Interi nuk po humbin kohë për të mbyllur punët e lëna pezull.

Një ndër to ishte rinovimi me mbrojtësin italian Alessandro Bastoni, i cili është pjesë e zikaltërve prej dy sezonesh, por në këtë që lamë pas u shfaq vërtetë si protagonist në repartin defensiv të skuadrës kampione të Italisë.

Marrëveshja për rinovimin me Bastonin ishte arritur prej javësh, por firma ka ardhur vetëm ditën e sotme dhe mbrojtësi 22-vjeçar ka zgjatur kontratën e tij me zikaltrit deri në verën e 2024-ës.

“Inter njofton se ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me mbrojtësin Alessandro Bastoni. Mbrojtësi i lindur më 1999-ën do të jetë pjesë e zikaltërve të paktën deri në verën e 2024-ës”, shkruhet në komunikatën e klubit milanez.

Detajet e rinovimit nuk janë bërë ende të ditura, por mësohet se paga e Bastonit është përmirësuar ndjeshëm, për t’u afruar në nivelin e titullarëve të tjerë të formacionit zikaltër.

Mbrojtësi numëron plot 40 paraqitje këtë sezon, thuajse të gjitha si titullar, ndërsa tashmë është në grumbullimin e Italisë, pasi ka bindur edhe Roberto Mancinin për një ftesë në Euro 2020.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency