Inter dërgon ofertë zyrtare, sot vendoset e ardhmja e Gleison Bremer
Orë të nxehta për mbrojtësin brazilian Gleison Bremer. Krahas Interit që e ndjek prej muajsh dhe ka një akord paraprak, së fundi për shërbimet e futbollistit të Torinos është futur në garë edhe Juventusi, që e sheh si zëvendësuesin e Mathijs De Ligt.
Mbrëmjen e të hënës Marotta pati një takim me presidentin Zhang dhe të dy bashkë vendosën t’i dërgojnë ofertën zyrtare Torinos, që është 30 milionë euro, plus kartonin e mesfushorit të talentuar, Casadei.
Klubi granata ka marrë kohë për të vlerësuar ofertën, ndërsa sot pritet që edhe Juventusi të prezantojë ofertën zyrtare, që natyrisht do të jetë më e lartë se ajo e zikaltërve, pasi bardhezinjtë sapo kanë shitur De Ligt dhe kanë mjaftueshëm para kesh për të paguar.
Po sot pritet një takim edhe mes drejtuesve të Torinos e menaxherit të Bremer, pasi një rol të rëndësishëm në negociata do të ketë padyshim edhe dëshira e brazilianit, që momentalisht ka një pakt të fortë me zikaltrit.
Në Itali ka një derbi tashmë për kartonin e mbrojtësit dhe mediat janë të bindura që e marta do të jetë dita kur do të vendoset përfundimisht e ardhmja e Bremer.



