Serie A

Luhet java e 19, Inter e Juve në ndjekje të Napolit

Kampionët në fuqi të Juventusit kanë rastin për të mbyllur me fitore një vit kalendarik të shkëlqyer në aspektin e rezultateve, teksa do të vizitojnë në orën 20:45 skuadrën e Veronës. Muaji dhjetor ishte një muaj tepër i ngjeshur për “bardhezinjtë”, që rikthyen faktorin frikë te kundërshtarët dhe njëherazi treguan qartë se kush komandon në të vërtetë në kampionatin italian.

“Zonja e vjetër” fitoi brenda në Napoli duke dhënë mesazhin e parë të qartë në Serie A, për të mbërritur deri te suksesi i javës së kaluar me Romën, ndërsa në mes “zikaltërit” e Interit ishin vërtet me shumë fat që dolën me një pikë nga “Allianz Stadium” i Torinos. Trajneri Allegri nuk do të ketë përsëri në dispozicion dyshen e prapavijës Buffon-De Sciglio, megjithatë problemet më të mëdha natyrisht pritet t’i ketë Fabio Pecchia, që sikur të mos mjaftonin diferencat e mëdha në krahun tjetër, do të duhet të presë deri në çastet e fundit për të zgjedhur formacionin titullar.

50-vjeçari toskan do të rreshtojë në fushë tre sulmues, e me shumë gjasa në start përpara do të mungojë sërish Dybala, që po përkëdhelet gjithmonë e më tepër nga idea për t’u transferuar në Premier League te United, ndërkaq skuadra e Pecchia-s, që dy dekada më parë mbante veshur pikërisht fanellën e Juves, bën mirë ta harrojë me shpejtësinë e dritës triumfin me Milanin, pasi në atë takim vendasit patën një shkëlqim të përkohshëm, që më shumë përkoi me gabimet trashanike të “kuqezinjve” të Gatuzos.

Gjithsesi “bardhezinjtë” kanë fituar vetëm 1 nga 3 përballjet e fundit ndërmjet tyre, ndërsa në Stadiumin ‘Bentegodi’ Juventusi nuk merr 3 pikë të plota në një ndeshje të Serisë A me “verdheblutë” që nga viti i largët 2001. Në orën 15:00 në Serinë A do të luhen njëkohësisht gjashtë takime dhe Roma duket skuadra më e favorizuar, pasi “verdhekuqtë” presin në ‘Olimpiko’Sasuolon, që po pret me ankth buletinin mjekësor të sulmuesit Berardi. Roma që paraqitet në këtë duel pas humbjeve radhazi me dy skuadrat e Torinos, ka fituar 7 nga 8 ndeshjet e fundit në kryeqytet, për më tepër trajneri Eusebio Di Francesco e njeh shumë mirë klubin nga Reggio Emilia pasi e ka drejtuar për plot pesë sezone.

“Zijeshilët” javën e kaluar mposhtën Interin në shtëpi, sidoqoftë magjia në përballjet me Romën duket se është prishur prej kohësh, pasi “verdhekuqtë” që deri 9 muaj më parë nuk njihnin as edhe një fitore në ‘Olimpico’ ndaj Sasuolos, tani numërojnë 3 fitore në 3 përballjet e fundit ndërmjet tyre. Në ndeshjet e tjera dy skuadra si Sampdoria dhe Atalanta, që në klasifikimin e përgjithshëm po ecin krah për krah në 7 vendet e parë të renditjes, do të përpiqen të konsolidojnë pozitat dhe njëkohësisht të respektojnë faktorin fushë, teksa presin respektivisht Spalin dhe Kaljarin, ndërkaq në Supersport po në orën 15:00 interes ngjallin gjithashtu edhe dy përballje me shumë rivalitet si Bologna-Udinese dhe Torino-Genoa.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency