Europa League

Inter e Napoli për të përmbushur misionin, “flakë” në Villarreal-Sporting

Një javë kaloi shpejt dhe skuadrat pjesëmarrëse në Europa League bëhen gati për ndeshjet e kthimit në fazën e 1/16, të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Kontinentin e Vjetër.

Javën e kaluar Interi i Spaletit ia doli mbanë për të mposhtur Rapidin brenda në Vjenë, prandaj në takimin e kthimit nuk pritet që zikaltrit të vuajnë shumë, për të kaluar në turin tjetër. Situata me sulmuesin Mauro Icardi është ende shumë e paqartë, megjithatë drejtuesit kanë dhënë një mesazh të qartë, se klubi qëndron mbi gjithçka dhe me sa kuptohet 26-vjeçari argjentinas po bëhet shembull.

Në fakt mungesa e ish-kapitenit deri tani nuk është ndjerë aspak dhe me këtë situatë po fërkojnë duart pikërisht drejtuesit e “Djajve të Kuq” të Manchester United që shpresojnë shumë në një transferim të mundshëm të Icardi-t në Ishull, verën e ardhshme.

Përpara Maurito është zëvendësuar denjësisht nga Lautaro Martinez, që realizoi edhe golin e vetëm të sfidës së vajtjes, pak minuta para fundit të pjesës së pare, pikërisht nga pika e bardhë e 11-metrave.

Diferencat ndërmjet dy klubeve janë vërtet shumë të mëdha, pasi ekipi vjenez nuk po kalon një periudhë të mirë, madje Rapidi aktualisht është edhe jashtë zonës play off në Bundesligën Austriake, ndërkaq trajneri toskan, në krahun tjetër, në “San Siro” ka një rast shumë të mirë për të freskuar formacionin, duke patur parasysh që në fundjavë zikaltrit i pret një ndeshje tepër impenjative në Firenze, ndaj Fiorentinës.

Po në orën 21:00 në Stadiumin Olimpiyskiy Dinamo do të masë forcat me Olimpiakosin, me dy klubet që shtatë ditë më parë barazuan në Pire me shifrat 2-2. Bardhekuqtë kaluan dy herë në avantazh, gjithsesi futbollistët e klubit ukrainas nuk u dorëzuan aspak, madje barazuan rezultatin pikërisht në fund të takimit me anë të mesfushorit slloven Benjamin Verbic.

Po në këtë orë do të ndeshen gjithashtu edhe Benfica me Gallatasarajin, megjithëse në këtë duel “shqiponjat” pothuajse e kanë siguruar kualifikimin pas triumfit 2-1 të javës së kaluar, brenda në Stamboll, por sidoqoftë bëhet fjalë për dy klube plot emër që kanë mbërritur deri në këtë fazë falë kompeticionit tjetër Uefa Champions League.

Takimi do të mbahet në stadiumin e famshëm da Luz dhe nën drejtimin e trajnerit të ri Bruno Lage klubi i famshëm luzitan tashmë ka shkurtuar në vetëm një pikë edhe diferencën në kampionat me “dragonjtë” e Portos, gjithsesi verdhekuqtë në krahun tjetër shpresojnë shumë që të përsëritin rezultatin e një dekade më parë, kur klubi më i lavdishëm turk triumfoi pikërisht në Kupën Uefa brenda në Lisbonë me rezultatin e pastër 2-0.

Në orën 18:55 Napoli do të zbresë në fushë vetëm sa për të bërë detyrën, sepse, për hir të së vërtetës, gjithçka është mbyllur që në Zvicër, ku Napoli mposhti Zyrihun me shifrat 3-1.

Në 16 më të mirat e raundit të ardhshëm natyrisht do të jetë edhe skuadra e Valencias. Klubi spanjoll që në fakt e ka fituar Kupën UEFA edhe 15 vjet më herët, me trajnerin e mirënjohur Rafa Benitez në drejtim, nuk duhet të ketë probleme për të mbrojtur fitoren 2-0 të javës së kaluar ndaj bardhjeshilëve brenda në “Celtic Park”, ndërkaq po në orën 18:55 me interes pritet edhe derbi iberik Villarreal – Sporting Lisbonë, me “nëndetësen e verdhë” që përpara një jave i mundi “luanët” minimalisht 1-0 brenda në “Jose Alvalade”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency