Inter i “çmendur”, Sanchez shënon in-extremis, zikaltrit fitojnë për herë të 6-të Superkupën e Italisë!
Në Itali është Interi skuadra e momentit. Hegjemonisë së Juventusit që zgjati gati një dekadë i ka ardhur fundi, sepse pas Scudettos, zikaltrit fituan edhe Superkupën e Italisë duke mposhtur pikërisht bardhezinjtë në derbin e Italisë për të bërë të tyrin për herë të 6-të në histori trofeun e Superkupës së Italisë. Në San Siro në praninë e rreth 40 mijë tifozëve sa gjysma e kapacitetit, Simone Inzaghi fitoi trofeun e tij të parë si trajner i Interit, një trofe i fituar në mënyrën më dramatike të mundshme. Një gol i Alexis Sanchez in-extremis në shtesë mbi shtesën vërtetoi edhe njëherë se sinonimi Pazza Inter i shkon më së miri përshtat kësaj skuadre.
Në San Siro, Interi e nisi me marshin e 5-të sfidën duke rrezikuar portën e Perin në 2-3 raste që në 10 minutat e para. Protesta të shumta të futbollistëve të Interit ndaj gjyqtarit Doveri në minutën e 11-të kur Chiellini ndërhyri ashpër ndaj Barrelas brenda zone por kryesori vazhdoi lojën, vendim që solli edhe irritimin maksimal të Simone Inzaghit në stol. Në momentin më të mirë të Interit ishte Juvja që zhbllokoi shifrat, teksa në minutën e 25-të Weston Mckennie i mori kohën dyshes De Vrij-Bastoni duke mposhtur Handanovic me kokë pas krosimit të Moratas. Megjithatë kundërpërgjigjia e zikaltërve erdhi shpejt pasi në minutën e 34-t Edin Dzeko u tregua dinak duke i marrë kohën De Sciglios i cili u tregua naiv duke shkaktuar 11-metërsh të cilin këtë herë Doveri nuk hezitoi ta akordonte menjëherë.
Goditjen nga pika e bardhë e penalltisë e mori përsipër Lautaro Martinez i cili kishte gabuar dy herë në këtë sezon por përballë Perin argjentinasi u tregua i saktë duke barazuar shifrat. I pafat Perisic në sekondat e fundit të pjesës së parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me një rast të humbur nga Bernardeschi për bardhezinjtë. Të pafat zikaltrit në minutën e 59-të kur Perin dhe shtylla i thanë jo golit të Dumfries. Pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1 ndërkohë që në shtesën e parë rastin më të mirë e kishin zikaltrit me Alexis Sanchez të ardhur në fushë nga stoli në minutën e 96-të.
Kiliani e dha sinjalin dhe atë që nuk e realizoi dot në shtesën e parë e bëri në shtesë mbi shtesën teksa në minutën e 121-të në sekondat e fundit të takimit përfitoi nga një pasiguri e juventinëve në mbrojtje dhe nga asisti perfekt i Darmian për të mposhtur Perin dhe për të ngritur peshë San Siron për një trofe të merituar nga skuadra e Simone Inzaghit për atë çfarë tregoi në 121 minuta lojë.



