Inter kënaq Perisiç për rinovimin, Inzaghi planifikon një eksperiment me kroatin
Ivan Perisic ka prekur shifrën e 250 ndeshjeve me fanellën e Interit, teksa veçanërisht këtë sezon po tregon një formë të jashtëzakonshme dhe për herë të parë arriti të gjejë golin në dy ndeshje radhazi.
Ndonëse kontrata i përfundon në fund të sezonit, paraqitja e jashtëzakonshme e kroatit ka vënë në lëvizje drejtuesit e Interit, që janë gati t’i kënaqin dëshirat për të zgjatur bashkëpunimin.
Perisic ka kërkuar kontratë dy vjeçare me pagë 5 milionë euro në vit, ndërsa Interi pati ofruar fillimisht një 1+1 me pagë 4 milionë euro, por tani është gati të shkojë te kontrata 2-vjeçare me 4.5 milionë euro në sezon.
Zikaltrit duken të bindur që Perisic mund të vijojë të djersijë akoma fanellën e klubit, ndërsa Simone Inzaghi dhe vetë kroati pritet të eksperimentojnë edhe në krahun e djathtë të mesfushës, për t’i lënë vendin Gosens në të majtë.
Eksperimenti është planifikuar për në verë, pas rinovimit dhe Inzaghi është i bindur se me Perisic e Gosens nga krahët, Interi mund të vijojë të fluturojë lart e më lart.



