Inter-Roma, ora 21:00, Mourinho kthehet si kundërshtar në “San Siro”, formacionet e mundshme
Rikthehen në ekranin e SuperSportit ndeshjet e Kupës së Italisë, pikërisht në fazën çerekfinale të kompeticionit, ku përplasen ekipet më në zë të futbollit italian. Këtë të martë, në orën 21:00, në “San Siro” do të luhet çerekfinalja e parë, Inter-Roma. Një sfidë e veçantë sidomos për trajnerin e zikaltërve, Jose Mourinho, që kthehet në këtë impiant si kundërshtar për të herë të parë që pas triumfit të trefishtë si trajner i Interit 11 sezone e gjysmë më parë.
Sa u përket formacioneve, Inzaghi ka menduar të lërë pushim de Vrij dhe Perisic, me kroatin të dëmtuar në derbin e fundit me Milanin. Në vend të tyre do të aktivizohen Ranocchia ose D’Ambrosio në mbrojtje dhe Dimarco si anësor i majtë.
Në fazën sulmuese, Sanchez me dhumë mundësi do të marrë vendin e Lautaro Martinezit në krah të Edin Dzekos.
Nga ana tjetër, Mourinho konfirmon mbrojtjen titullare, ndërsa mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Marash Kumbulla, do të jetë në stol. Në sulm konfirmohet Zaniolo, pasi është i skualifikuar në kampionat, duke formuar dyshen me Abraham.
Mourinho do të ketë në dispozicion edhe kapitenin Pellegrini, por jo nga minuta e parë.




