Interes i ulët para ndeshjes, ja sa tifozë priten në “Air Albania”
Interesim mjaft i ulët në “Air Albania” për sfidën Partizani-Kukësi, teksa deri 60 minuta para ndeshjes janë shitur rreth një mijë bileta. Gazetari i Supersport, Glend Nallbani ka evidentuar një problematikë me të cilën përballeshin tifozët, pasi në ambientet e “Air Albanias” nuk kishte një pikë shitjeje biletash.
Tifozët e interesuar, merrnin si përgjigje, që duhej të shkonin te biletaria e stadiumit “Selman Stërmasi” për të blerë biletat, një zgjidhje kjo aspak e lehtë, pasi do t’u duhet të ecin për minuta të tëra, me qëllim pajisjen me një biletë.
Gjithsesi përtej kësaj, në shkallët e “Air Albanias” nuk pritet të ketë më shumë se 2-3 mijë tifozë, ndonëse përballen dy skuadra pretendente për titull dhe në impiantin më modern shqiptar, në zemër të kryeqytetit.
Pritej një numër shumë më i madh, veçanërisht nga ana e tifozërisë së kuqe, por ndoshta edhe ecuria jo e mirë e Partizanit në katër javët e para, ka bërë që të ulet disi interesi për këtë takim.



