Interes maksimal për finalen e Kupës së Italisë, parashikohet rekord të ardhurash
Juventusi dhe Interi do të diskutojnë trofeun e Kupës së Italisë të mërkurën në mbrëmje në një “Olimpico”, që doket se do të jetë i mbushur në kapacitetin e tij maksimal dhe do të regjistrojë edhe një rekord arkëtimesh.
Për momentin ndeshja që ka prodhuar më shumë të ardhura nga shitja e biletave në Kupën e Italisë është derbi i kthimit të gjysmëfinaleve mes Interit dhe Milanit, i luajtur muajin e kaluar, ku zikaltrit arkëtuan plot 4.15 milionë euro.
Megjithatë këtë herë në “Olimpico” pritet të ketë rreth 70 mijë tifozë të të dy ekipeve, por edhe neutralë, teksa organizatorët raportojnë se do të kalohet shifra prej 4.15 milionë eurosh që arkëtoi Interi dhe synimi është të preket një total prej 4.5 milionë eurosh.
Juventusi dhe Interi kanë një rivalitet të jashtëzakonshëm mes tyre dhe jo më kot përballjet njihen edhe si derbi i Italisë, teksa fakti që do të luajnë një finale, e ka rritur ndjeshëm edhe interesin e tifozerive për të qenë të pranishëm në shkallët e “Olimpico”-s.
Finalja e Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Interit është një ekskluzivitet i SuperSport, me sfidën që do të startojë të mërkurën në orën 21:00 në ekranin e SuperSport 2 dhe do të vijojë deri në ceremoninë e dhënies së trofeut.



