Interi bën ofertën finale për Barrelën, Ausilio nis punën për “planin B”
Interi dëshiron të sjellë në Milano mesfushorin e talentuar italian Nicolo Barrela, por Cagliari vijon të bëjë rezistencë dhe duket se zikaltrit nuk kanë ndërmend t’u përgjigjen të gjitha kërkesave të sardëve.
Milanezët kanë gjetur akordin me mesfushorin, që nëse do transferohet, do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare, me 2.5 milionë euro në sezon, ndërsa pas shumë ofertash, përfundimisht kanë çuar në tavolinën e Cagliarit propozimin për 36 milionë euro plus 4 të tjera në formë bonusesh, pra 40 në total.
Kjo ka qenë edhe oferta finale e Marottës, që ia ka bërë të qartë presidentit të Cagliarit, Giulini, se nuk do të ketë asnjë propozim tjetër në ditët në vijim, ndërsa për të shmangur çdo surprizë të pakëndshme, ka vënë në jetë planin B, që quhet Stefano Sensi.
Mesfushori 23-vjeçar kërkohet me ngulm edhe nga Milani, por zikaltrit kanë raporte mjaft të mira me drejtuesit e Sassuolos dhe ditë ne djeshme Ausilio ka përfunduar blerjen e Politanos, ndërsa njëkohësisht ka kërkuar edhe informacion për Sensin.
Kështu në pritje të një përgjigjeje finale nga ana e Cagliarit, Interi po punon edhe me planin B, pasi në rast refuzimi të sardëve, do të hidhen menjëherë në sulm, për të mbyllur marrëveshjen me Sensin.



