Interi dhe Empoli negociata “të nxehta” për mesfushorin kuqezi, “rebus” formula e transferimit
Kristjan Asllani, mesfushori shqiptar i Empolit i lindur në vitin 2002, po kalon një moment kulmor në karrierën tij. I grumbulluar nga Reja për ndeshjet e Nation League (në sfidën me Islandën u aktivizua në minutën e 73-të), mesfushori i Empolit pret të hedhë hapin e madhe në karrierë. Përtej deklaratës korrekte për gazetarin Sokol Xhihani, se mendon vetëm për Empolin dhe jo për derbin e Milanos që po zhvillohet për të, 20-vjeçari, sipas medieve italiane ka shprehur vullnetin pozitiv për t’iu bashkuar zikaltërve. Sipas informacioneve që ka siguruar “tuttomercatoweb”, Interi dhe klubi toskan kanë nisur bisedimet për arritjen e marrëveshjes, por ende nuk ka një pikë takimi mes klubeve për formulën me të cilën mund të kryhet transferimi.
Asllani shihet si futbollisti ideal për të zëvendësuar Marcelo Brozovicin. Për momentin, po diskutohet mbi mundësinë e huazimit. Pala zikaltër kërkon që të bihet dakord për një shumë të caktuar për të drejtën e blerjes pas një viti ose kohëzgjatja e huazimim të jetë dyvjeçare me detyrim blerjeje.
Drejtuesit e Empolit kanë frikë se mos e humbasin lojtarin në të ardhmen me shifra më të ulëta nga sa mund të bien dakord sot. Përkundrazi, dëshira është që të kryhet transferimi përfundimtar që këtë verë ose lojtari të huazohet me kusht blerjen e detyrueshme nga ana e Interit pas një viti.



