Interi në këmbët e Lautaros, 21-vjeçari po shfrytëzon maksimalisht “asistin” e Icardit
Mauro Icardi ka pasur një rol thelbësor në skuadrën e Interit gjatë viteve të fundit, me golat e shumtë të shënuar, por mungesa e tij, tashmë që marrëdhëniet me Spallettin janë krisur, nuk e ka vënë fort në siklet teknikun zikaltër.
Kjo vetëm falë një tjetër argjentinasi, 21-vjeçarit Lautaro Martinez, i cili erdhi verën e kaluar në Milano, për të qenë zëvendësues pikërisht i kapitenit, por që tani ka treguar se mund të jetë fare mirë një zgjedhje e parë.
Muajt e parë si zikaltër ishin vërtetë të vështira për djaloshin argjentinas, që luajti vetëm 4 ndeshje si titullar dhe më pas iu desh të sqaronte edhe disa akuza të babait të tij në drejtim të Spallettit, ndërsa u përfol edhe për një huazim të tij në muajin janar.
Megjithatë Interi nuk e mori asnjëherë në konsideratë opsionin e largimit të Lautaros dhe vetë ky i fundit punoi kokulur, për të pritur me durim rastin e tij, që tani që i ka ardhur, po e shfrytëzon maksimalisht.
Presing, driblime, thellësi, forcë në dyluftime dhe bashkëpunim mjaft të mirë me shokët e skuadrës, janë disa nga cilësitë e shfaqura nga Lautaro Martinez, që nëse u shtojmë edhe golat e shënuar, e bëjnë sulmuesin të denjë për të qenë titullar i Interit.
“Fakti që ka hyrë në ‘San Siro’ në moshën 20-vjeçare dhe ka luajtur si të ishte me shokët e tij të fëmijërisë, tregojnë personalitetin e fortë që ka. Nuk e di nëse do të jetë një lider, por e vetmja gjë që Lautaro kërkon, është që të luajë dhe të japë gjithçka ka për të arritur objektivat e tij dhe të skuadrës”, tha Spalletti për të në përfundim të ndeshjes.
Rikthimi i Icardit është i mirëpritur për shumicën e zikaltërve, por jo për Lautaron, i cili po përfiton maksimalisht nga kjo periudhë, për t’u treguar drejtuesve se mund të mbështeten te ai për të ardhmen, gjithmonë nëse ish kapiteni do të largohet nga Interi.



