Angli

Intervista e parë si lojtar i United, Casemiro: Ndihem si 18-vjeçar, Premier League një ëndërr

Padyshim është një nga lëvizjet që mund të rezultojë nga më efikaset për Manchester United. Fjala është për Casemiro i cili u transferua te Djajtë e Kuq nga Real Madrid për vlerën e 60 milionë eurove plus 10 të tjera që do t’i shkojnë Los Blancos në formën e bonuseve. Braziliani është shumë i motivuar për aventurën e re ndërsa në intervistën e parë si lojtar i United në sajtin zyrtar të klubit, 30-vjeçari shprehet se Premier League është një kampionat i mrekullueshëm.

“Unë ndihem si një 18-vjeçar, kam firmosur për një nga klubet më të mëdha në Angli dhe jo vetëm. Mezi po pres që të nis këtë aventurë, Premier League është një ëndërr, një kampionat i mrekullueshëm. Këtu ndjehet respekti mes tifozëve dhe lojtarëve, lojtarëve dhe arbitrave, pasioni i njerëzve. Në çdo qytet ndjehet aromë futbolli dhe kjo pasqyrohet në atmosferën që krijohet në stadiume.

Mendoj se tashmë jam një futbollist me eksperiencë, por më pëlqen të punoj shumë. Jam një lojtar që jap gjithçka në fushë dhe stërvitje. Unë nuk dua të kthehem në shtëpi pa e ditur se kam dhënë maksimumin, kjo është filozofia ime.

Anglishtja? Gruaja ime flet anglisht, ndërsa vajza shtatëvjeçare dhe djali gjashtëvjeçar e flasin këtë gjuhë më mirë se unë. Më vjen keq për tifozët e United, por ende duhet të studioj shumë anglisht. Dua ta mësoj sa më shpejt në mënyrë që të njoh kulturën e vendit dhe të komunikoj me shokët e skuadrës dhe stafin. Dua të tregoj se jam një prej tyre”, u shpreh Casemiro.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency