Inzaghi mbron portierin: Më “djeg” më shumë goli i parë, titulli…
Inter shpërdoroi një rast të artë për të marrë kryesimin e renditjes katër javë nga fundi, pasi u mposht 2-1 nga Bologna në transfertë, ndonëse e nisi mjaft mirë, duke marrë avantazhin që në minutën tretë.
Një gafë e portierit Ionut Radu në minutën e 82-të u kushtoi shtrenjtë zikaltërve, megjithatë Inzaghi i jep kurajo rumunit dhe shfaq rezerva më së shumti për golin e parë të Bolognës.
“Radu duhet ta mbajë kokën lart, pasi e pret një e ardhme e ndritur. Është shumë i zoti, por një gabim si ky u ka ndodhur të gjithëve. Unë jam më shumë i zhgënjyer me golin e parë, pasi Arnautoviç u la i lirë në zonë, ndërsa Barrow-n e lamë të krosojë i pashqetësuar dhe ta dërgojë topin aty ku duhej. Duhej ta mbyllnim ndeshjen që në pjesën e parë, por shpërdoruam shumë mundësi dhe më pas pësuam golin e barazimit në të parin rast të tyre”, tha Inzaghi.
Katër javë nga fundi dhe me dy pikë më pak se Milani, titulli nuk është më në dorën e Interit, megjithatë Inzaghi beson ende te ylli i dytë në fanellën zikaltër.
“Normal që pas një humbjeje si kjo, ka shumë zhgënjim, por duhet të kthejmë faqe shpejt. Titulli nuk është në dorën tonë, por jemi vetëm dy pikë larg kreut dhe ka ende edhe katër javë. Gjithçka mund të rikuperohet”, u shpreh Inzaghi.



