Ironia e Brdaric: Po, kemi një kompromis, fitojmë ndaj Skënderbeut
Vllaznia do të luajë kundër Skënderbeut në Shkodër më synim për të ruajtur të paktën pozicionin që ka në renditje e duke shpresuar në hapin e gabuar të kundërshtarëve. Në prag të sfidës, trajneri Tomas Brdaric analizoi ekipin e tij dhe u shpreh ambicioz për ndeshjen ndaj korçarëve, duke theksuar se synimi i vetëm i Vllaznisë nesër janë 3 pikët.
“Çdo ndeshje e vlerësojmë si finale. Ndaj Skënderbeut është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jemi të fokusuar dhe nuk mendojmë për finalen e Kupës dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në atë ndeshje. Për ne janë të rëndësishme tri pikët ditën e nesërme”.
Përqendrimi: “Po vjen fundi i sezonit dhe jemi të përqendruar në maksimum. Do mundohemi t’u japim sa më pak shanse ekipeve kundërshtare që të na marrin pikë. Jemi të stabilizuar në mbrojtje, kemi marrë pikë të rëndësishme dhe është rritur morali i skuadrës. Çdo gol është shumë i rëndësishëm për ne”.
Formacioni: “E rëndësishme është që kemi më shumë se 11 lojtarë, për mua është pak e vështirë të vendos se kush do të luajë. Të gjithë po luajnë mirë. Kushdo që do të jetë pjesë e formacionit do të duhet të japë maksimumin”.
Objektivi: “Sigurisht që çdokush që do të fitojë, futet në fushë të marrë pikë. Ne do mundohemi të mos i lëmë asnjë hapësirë, as më të voglën që ata të kenë mundësinë të fitojnë apo të marrin një pikë në Shkodër. Jemi seriozë dhe të vendosur për t’ia dalë me sukses në këtë ndeshje”.
Kompromisi: “Sigurisht që ka një marrëveshje, që është për nesër dhe ne do të marrim tri pikët dhe kaq”.
Fokusi: “Sigurisht nuk shohim as majtas, as djathtas, shohim vetëm përpara, shohim rezultatet tona dhe luajmë për vete, për tifozët dhe klubin. Edhe klubi është i kënaqur me rezultatet tona”.



