Ish-fantazisti i Arsenal këshillon Hazard për hapin e radhës: Do t’i rikthehej dëshira për futbollin
Edhe pse për Eden Hazard transferimi te Real Madrid ishte një ëndërr e kthyer në realitet, sulmuesi belg nuk mundi për asnjë moment ta shijonte atë dhe të bëhej udhëheqësi për të cilin madrilenët kishin nevojë pas Cristiano Ronaldos. Dëmtimet nuk e lejuan belgun të shkëlqente, ndërsa së fundmi ish-lojtari i Chelsea ka dalë jashtë planeve të trajnerit Carlo Ancelotti. Tekniku italian e ka “gozhduar” në pankinë, ndërsa nuk do ta kishte problem largimin e Hazard në merkaton e janarit.
Ndërkohë, opsionet për 30-vjeçarin nuk mungojnë dhe së fundmi i ka mbërritur një propozim nga ana e ish-fantazistit të Arsenal, Jack Wilshere. Ky i fundit është tashmë pjesë e Bourenmouth, por e këshillon Hazard të bashkohet me Newcastle. Kjo për arsye se atje punon ish-trajneri i Wilshere te Bournemouth, Eddie Howe.
Wilshere e vlerëson shumë Howe dhe është i bindur se ai do t’i rikthente Hazard sërish dëshirën për të luajtur. “Hazard do t’i pëlqente të luante me Eddi Howe. Ai ka qenë fantastik me mua dhe më ka ndihmuar shumë, edhe unë vija nga një klub i madh dhe ishte e vështirë. Hazard është i një tjetër niveli, por Howe është trajner që të sjell dëshirën për të luajtur futboll për të”, u shpreh Wilshere.



