Ish-mesfushori i Chelsea dhe Real Madrid vetëofrohet për drejtimin e kombëtares afrikane
DR Kongo është pa trajner dhe ish-lojtari i Chelsea dhe Real Madridit, Claude Makelele është vetëofruar për të marrë drejtimin e përfaqësuese dhe për të pasuar në këtë post, argjentinasin Hecto Cuper.
49-vjeçari është i bindur se ai është njeriu i duhur për të drejtuar Kongon dhe beson se tani është momenti i duhur dhe për të rritur cilësinë e futbollit në këtë vend, por edhe për të “ëndërruar” për më shumë.
“Ne kemi shumë lojtarë të talentuar të cilët luajnë në nivele të larta dhe shansi për të menaxhuar këtë përfaqësuese do të jetë padyshim më i madhi në karrierën time si trajner. E kam thënë edhe më parë dhe po e ritheksoj, më tërheq kjo ide dhe jam shumë i interesuar. Të jesh në krye të Kongos është një punë emocionuese për këdo që e merr atë dhe veçanërisht sfida që është përpara, për të arritur Kupën e Kombeve, por unë për momentin duhet të pres për vendimin e federatës.” – tha Makelele
Claude, më parë në rolin e trajnerit të parë ka pasur dy eksperienca, në Belgjikë me skuadrën e Eupen dhe në Francë me Bastia. Për momentin punon me grupmoshat e Chelsea-t, diçka të tillë më parë e ka provuar edhe te Monaco, ndërsa ka pasur edhe postin e asistentit te PSG dhe Swansea City.
Makelele ka lindur në Kinshasa, Kongo, por gjatë karrierës së tij ai luajti për përfaqësuesen e Francës (71 ndeshje). Në total gjatë karrierës së tij si futbollist, 49-vjeçari numëron 13 trofe, mes tyre një Champions League me Real Madrid, por edhe trofe të rëndësishëm me Chelsea në Angli dhe PSG në Francë.



