Ish-sulmuesi u shfaq me fanellë të City-t, Ferdinand rrëfen kërcënimin e Ferguson
Sir Alex Ferguson mbahet mend si një trajner me shumë autoritet teksa kërkonte gjithnjë respektin maksimal nga lojtarët e tij. Skocezi nuk lejonte sjellje të cilat e vendosnin në diskutim rëndësinë dhe peshën e fanellës, madje këtë e bënte edhe ndaj atyre që kishin një profil të lartë. Si për të faktuar autoritetin e Ferguson, së fundmi një ndër futbollistët e tij më të besuar, Rio Ferdinand tregon se si tekniku në vitin 2002 kishte qenë gati të largonte nga ekipi sulmuesin Ruud Van Nisterloy.
Kjo sepse pas një humbje 3-1 në derbi ndaj Manchester City-t, holandezi ishte shfaqur në dhomat e zhveshjes me një fanellë të rivalëve të qytetit të cilën e kishte marrë në fundin e ndeshjes.
“Ne u mposhtëm 3-1 në derbi ndaj Manchester City-t, ishte derbi im i parë dhe aty kuptova rëndësinë e dhomave të zhveshjes. Ne u futëm brenda dhe Ferguson mbylli derën, të gjithë po rrinim në qetësi. Por, Van Nisterloy i cili ishte si një Zot në atë kohë, futet në dhomë me një bluze të City-t në dorë.
Ferguson e pa menjëherë dhe nisi të bërtiste, e kërcënoi duke i thënë se nëse e shihte sërish duke bërë një gjest të tillë atëherë ai nuk do të luante më kurrë për United. Kështu ishte Ferguson, aty e kuptova edhe sa i rëndësishëm ishte një derbi”, rrëfen Ferdinand.



