Ish trajneri i Tiranës kritikon Lautaron: Nuk ka treguar asnjëherë vazhdimësi
Ish trajneri i Tiranës, braziliani Ze Maria, që në të shkuarën ka luajtur me fanellën e Interit në Serinë A, ka analizuar situatën te zikaltrit, në prag të derbit të Italisë me Juventusin, i planifikuar për këtë fundjavë.
Ze Maria ka deklaruar se Milani është favorit për titullin, teksa në të njëjtën kohë ka pranuar se transferta ndaj Juventusit mbetet vendimtare për Interin, pasi do të vendosë jo pak mbi ecurinë e zikaltërve.
“Me 8 javë nga fundi, sigurisht që kryesuesit janë favoritë dhe për më tepër, Milanin e shoh shumë të karikuar e të gatshëm për të fituar titullin. Inter është plotësisht në garë, por sfida e fundjavës do të jetë vendimtare, pasi një tjetër rezultat negative në Torino, do të komplikonte tërësisht pretendimet e tyre”, deklaroi Ze Maria.
Ish mbrojtësi brazilian ka folur edhe për formën që po kalon argjentinasi Lautaro Martinez, i cili nuk po arrin të shfaqet lider i zikaltërve dhe jo rrallë ka stonuar.
“Një futbollist i madh shfaq vazhdimësi dhe tregon veten gjithmonë në momentet e vështira të ekipit. Këto cilësi Lautaro nuk po i shfaq te Interi, ndonëse po mbyll sezonin e tretë. Shënon tre gola ndaj Salernitanës, por më pas “zhduket” dhe stonon në disa takime, ndaj kjo nuk është pozitive për një lojtar që dëshiron të shfaqet si lider”, u shpreh braziliani.



