Ishte njeriu asist në fitoren e Crotones, Ajeti në formacionin e javës
Një fundjavë për t’u mbajtur mend gjatë për Arlind Ajetin. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është rreshtuar përkrah emrave të mëdhenj të Serisë A, pasi me paraqitjen e shkëlqyer që bëri në fitoren 1-0 të Crotones ndaj Chievos, është përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 17-të të Serisë A, nga faqja e njohur e statistikave “Whoscored”. Ajeti i cili spikati me formën e tij është vlerësuar me notën 8,7 nga “Whoscored” duke u bërë pjesë e formacionit të javës bashkë me emra shumë të rëndësishëm si Florenzi, Alex Sandro, Candreva, Mandzukic, Milinkovic-Savic e Luis Alberto. Në sfidën ndaj Chievos kuqeziu ishte thjeshtë i pakalueshëm në mbrojtje ndërsa ishte përcaktues edhe në golin e fitores të Crotones të realizuar nga kroati Budimir pasi për kënaqësinë e Walter Zengës që arriti suksesin e parë në krye të skuadrës kalabreze, Ajeti bëri njeriun asist me Budimir që e kishte thjeshtë një lojë fëmijësh të shtynte topin drejt rrjetës.




