“Italia po vuan për sulmues, pse Mancini s’e fton Joao Pedron?!”
Joao Pedro në kombëtaren italiane! Një ide të tillë e jep drejtori sportiv i Cagliarit, Stefano Capozucca. Sulmuesi brazilian është pjesë e ekipit sard prej vitit 2014, teksa këtë sezon ia ka dalë të shënojë 7 gola deri tani në Serie A.
“Kombëtares italiane i mungojnë sulmuesit, kështu që nuk e kuptoj pse nuk merret në konsideratë një lojtar si Joao Pedro. Joao është italian dhe mund të luajë me kombëtaren e kaltër”, deklaroi drejtuesi i klubit italian .
29-vjeçari ka lindur në Ipatinga të Brazilit, por pasi mbërriti në Itali, në Palermo, u martua me një grua siciliane dhe që nga marsi i 2017 ka nënshtetësinë italiane.
Në muajin mars, sulmuesi i Cagliarit u pyet në lidhje me mundësinë e veshjes së fanellës së katër herë kampionëve të botës dhe dha këtë përgjigje: “E respektoj dhe e dua Italinë.
Kam një lidhje të fortë me këtë vend, gruaja ime është italiane dhe fëmijët kanë lindur këtu, por nuk më ka shkuar kurrë ndërmend të luaj me kombëtaren e kaltër.
Nuk është se nuk dëshirë, por mendoj se nuk e meritoj një ftesë”, deklaroi Joao Pedro, emri i të cilit është rikthyer sërish në modë për skuadrën e Roberto Mancinit.



