Izmir Smajlaj “fluturon” në Shkodër, vendos rekord të ri kombëtar (Video)
Ka startuar dje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Kampionati i 81-të Kombëtar i Atletikës, ku menjëherë ka spikatur atleti shkodran në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj.
Ky i fundit arriti të thyejë rekordin kombëtar prej 8.03 metrash, që e mbante po vetë, pasi ditën e djeshme arriti të kërcejë plot 8.11 metra, i ndihmuar edhe nga mbështetja e publikut shkodran.
“Kam emocione sepse rekordin e arrita në qytetin tim dhe i falënderoj tifozët që më mbështetën. Kemi punuar shumë dhe them se po kaloj një formë shumë të mirë fizike. Më ka ndihmuar trajneri im Gjergj Ruli dhe tashmë shpresoj që të arrij rezultate të larta në garat ndërkombëtare. Përgatitja ime do vijojë pa ndërprerje dhe shpresoj të përmirësohem në vazhdimësi”, tha Smajlaj.
Kujtojmë që ditën e parë u garua në 16 disiplina të ndryshme, ndërsa klubet e Vllaznisë dhe Tiranës ishin ato që arritën rezultate më të mirë, duke mbledhur më shumë medalje.



