“Jam i lidhur shpirtërisht me Tetovën”, Shkëndija rinovon me “luftëtarin” e mesfushës
Bruno Dita nuk lëviz nga Shkëndija. Mesfushori shkatërrues u transferua në Tetovë në verën e vitit 2020, duke fituar titullin kampion në sezonin e parë me kuqezinjtë.
29-vjeçari nga Tirana ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit shqiptar që garon në kampionatin e Maqedonisë së Veriut në lidhje me kontratën e re.
Dita ka firmosur deri në vitin 2024 me Shkëndijën, teksa u shpreh i lumtur që do të vazhdojë të japë kontributin e tij në klubin e njohur.
“Jam shumë i lumtur që sot nënshkrova kontratë të re me Shkëndijën dhe që do të vazhdoj edhe për dy vite tjera të mbaj fanellën kuqezi. Falënderoj drejtuesit e klubit që mundësuan vazhdimin e kontratës, por ka qenë edhe dëshirë e imja që të vazhdoj të jem pjesë e Shkëndijës.

Posaçërisht më vjen mirë që do të vazhdoj qëndrimin në qytetin e Tetovës sepse e ndjej që jam lidhur edhe shpirtërisht me Tetovën.
Në Shkëndijë kemi formuar një grup të mirë dhe jam i bindur se në periudhën në vazhdim do të shënojmë sukseset e radhës me Shkëndijën, ndërsa unë premtoj se do të jap maksimumin për këtë fanellë”, theksoi Dita.



