Jashtë planeve të Contes, shkëmbim mesfushorësh në aksin Londër-Paris
Tanguy Ndombele nuk është më pjesë e planeve të Antonio Contes te Tottenham teksa mesfushori prishi marrëdhëniet me italianin në momentin kur nuk priti mirë zëvendësimin nga ana e trajnerit në sfidën e Kupës me Chelsea. Fillimisht, Conte e detyroi 25-vjeçarin të stërvitej veçmas pjesës tjetër të skuadrës ndërkohë që nuk e ka grumbulluar në dy ndeshjet e fundit. Kështu, francezi ka përfunduar në merkato teksa ka disa klube të interesuara për shërbimet e Ndombele.
Fjala është për Napoli, Roma dhe Atletico Madrid, por edhe PSG. Dhe në fakt, parisienët janë më të avantazhuarit në garën për Ndombele duke qenë se trajneri Mauricio Pochetino preferon të punojë sërish me të pas periudhës te Tottenham, ndërsa edhe vetë lojtari pret krahëhapur PSG pasi aty luan edhe një nga miqtë e tij më të ngushtë në botën e futbollit si Kylian Mbappe.
Sakaq, alternativa Paris, i përshtatet edhe Tottenham duke qenë se Spurs kërkojnë në këmbim të Ndombele, Georginio Ëijnaldum. Holandezi nuk është përshtatur me skemat e PSG dhe një rikthim në Londër mund të ishte lëvizja e duhur, ndërsa mesfushori pëlqehet nga Conte.
Mbetet tashmë për t’u parë si do të mbyllet tratativa, teksa duket në rrugën e duhur pasi në fund do të përfitonin të gjitha palët. Kujtojmë se Ndombele është pjesë e Tottenham prej sezonit 2019-2020 kur u transferua për shumën e majme të 65 milionë paundëve nga Lyon.
Quiz: Premier League
Nëse jeni fans i futbollit anglez dhe ndiqni ndeshjet e tij, atëherë me siguri që do të dini edhe përgjigjet e quiz-it të mëposhtëm...



