Java e 19/ Ndeshjet ndahen në dy ditë, spikat përballja Laçi-Vllaznia
Me sfidën Skënderbeu-Teuta, u mbyll edhe gjysma e parë e sezonit të Abissnet Superiores, që konfirmoi një Tiranë super-pretendente për titullin kampion, por edhe një garë të fortë për të gjithë objektivat.
Megjithatë sezoni është ende i gjatë dhe gjysma e dytë do të nisë menjëherë në fundjavë, me ndeshjet e javës së 19 që janë ndarë në dy ditë, të shtunën dhe të dielën.
Kështu gjithçka nis në orën 13:45 në Kamëz, me përballjen Kastrioti-Dinamo. Krutanët do të provojnë të lënë pas krahëve humbjen ndaj Vllaznisë, teksa përballë do të gjejnë një skuadër si Dinamo, që zhgënjeu këtë fundjavë në transfertën ndaj Egnatias dhe ka komplikuar jo pak pozitat në renditje.
Në orën 16:45, Tirana kryesuese do të presë Skënderbeun në “Air Albania”, aty ku këtë fundjavë mposhti me rezultat të thellë Kukësin. Bardheblutë do të kërkojnë një tjetër fitore për të konfirmuar forcën, por përballë do të gjejnë korçarët e Memellit, që po kalojnë momente të vështira dhe kanë nevojë për pikë.
Po në orën 16:45, në “Elbasan Arena’ do të luhet një tjetër supersfidë, ajo mes Teutës dhe Partizanit, dy skuadra që nuk kanë përmbushur pritshmëritë në dy fazat e para, por që synojnë fitoren, për t’u afruar sa më shpejt me zonën europiane.
Një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës është padyshim Laçi-Vllaznia, e cila do të luhet të dielën në orën 13:45 në Kurbin. Vendasit janë në formë të shkëlqyer dhe në fazën e dytë kanë regjistruar vetëm një humbje, pikërisht ndaj shkodranëve.
Megjithatë edhe kuqeblutë e Brdaric nuk njohin disfatën prej 14 javësh dhe pavarësisht problemeve në finalizim, mbeten një skuadër solide, që për më tepër, është e vetmja që ka marrë maksimumin ndaj bardhezinjve.
Disfatën 4-0 ndaj Tiranës, Diego Longo do ta mbajë mend gjatë, megjithatë kthesa do të provohet që këtë fundjavë, pasi të dielën në orën 13:45, verilindorët do të udhëtojnë drejt Rrogozhinës, për t’u përballur me Egnatian vendase.
Ja kalendari i plotë i javës së 19:

Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



