Java e 24-t me shifra zhgënjyese, vetëm katër gola në pesë ndeshje të luajtura
Java e 24, përtej shkëlqimit të derbit të kryeqytetit dhe rivalitetit në të gjitha takimet e tjera, ka fiksuar shifrat me të dobëta të luajtura gjatë këtij kampionati.
Më kryesori ishte sa i takon gola të shënuar. Vetëm 4 janë shifra më e ulët në këtë kampionat, duke thyer rekordin negative të fiksuar në javën e 13, në të cilin ishin shënuar vetëm 5 gola gjithsej. Shënuesit e vetëm në këtë javë ishin Guindo për Laçin, Daci për Teutën, Kaina për Kastriotin dhe Mihana për Dinamon.
Java 24 nuk regjistroi asnjë fitore për skuadrat vendase. 5 takimet fiksuan tre barazime dhe 2 fitore për udhëtueset. Hera e vetme që në këtë kampionat nuk kishim asnjë sukses të ekipeve pritëse ishte në javën e 3, në të cilën të gjitha ndeshjet u mbyllën në barazim. Ne total deri në këto moment janë regjistruar 51 fitore të ekipeve vendase, 37 barazime dhe 32 fitore të ekipeve udhëtuese.
Java 24 regjistroi gjithashtu, asnjë penallti, asnjë korrigjim të vendimeve të arbitrit nga VAR, si dhe asnjë karton të kuq. Ndonëse situatat e diskutueshme nuk munguan, në asnjërën prej ndeshjeve nuk u mor asnjë vendim nga më të rëndësishmit që njeh futbolli i këtij sezoni.
Në 120 ndeshjet e luajtura deri me tani, janë dhënë 36 penallti, nga të cilat 31 janë kthyer në gol, ka patur 50 korrigjime të vendimeve të arbitrave të fushës nga VAR, si dhe janë ndëshkuar me karton të kuq 37 protagonistë të këtij kampionati.
Kampionati i 83 ka ende për të luajtur edhe 12 javë të tjerë, ose 1/3 e të gjithë rrugëtimit të tij, dhe të gjitha skuadrat konkurruese janë në garë për të përmbushur objektivat e tyre. Një rivalitet i tillë pritet të përcjelle emocione të forta, të ndajë verdikte të rëndësishme, me shpresën se çdonjëri prej tyre do të jetë i drejtë dhe i merituar në fushën e lojës.



