Kategoria Superiore

Java e fundit e 2018-ës luhet në tri ditë, spikat Tirana-Flamurtari

Java e 18 dhe njëkohësisht e fundit për fazën e dytë, na kujton se kemi mbërritur në mes ta kampionatit, ndërsa FSHF ka vendosur që garat të luhen në 3 ditë të ndryshme, duke filluar nga e premtja deri të dielën.

Kështu të premten në orën 18:00, Tirana do të presë në “Selman Stërmasi” skuadrën e Flamurtarit, në një sfidë ku bardheblutë e Memës duhet të marrin 3 pikët, për të shkuar të qetë në pushimet e vitit të ri.

Tekniku i Tiranës është një ish në Vlorë, pasi erdhi në stolin bardheblu duke lënë pozicionin e zv. trajnerit të Flamurtarit dhe pikërisht ndaj kuqezinjve bëri edhe debutimin e tij si trajner i parë, në atë humbje 1-0 në qytetin bregdetar.

Pas 9 ndeshjesh në stolin e Tiranës, Mema regjistron vetëm një fitore, atë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Kastriotit dhe bardheblutë kanë nevojë urgjente për pikë, që t’i largohen sa më shpejt zonës së ftohtë.

Nga ana tjetër vlonjatët vijnë pas dy fitoresh radhazi dhe kanë rigjetur qetësinë, ndaj në kryeqytet do të kërkojnë t’u japin vazhdimësi rezultateve pozitive, qoftë edhe për t’u afruar më shumë me zonën e kreut të renditjes.

Pas më tepër se një muaji pa fitore, të shtunën në orën 14:00 Skënderbeu do të zbresë në fushën e Kamzës, për t’u përballur me vendasit, me synimin e vetëm, rikthimin te 3 pikët, për të mos humbur kontaktet me Partizanin kryesues.

Një sfidë aspak e lehtë gjithsesi për të besuarit e Shehit, pasi përballë do të gjejnë një Kamzë që lufton për mbijetesë dhe do të japë gjithçka për të mos dalë e humbur nga kjo ndeshje, sepse siç e ka thënë edhe tekniku Gjoka, çdo pikë vlen në këto momente.

Në orën 17:00, në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta e Shkëmbit do të presë Laçin, në një sfidë që pritet të jetë mjaft interesante dhe e luftuar, për vetë profilin e të dy skuadrave.

Durrsakët vijnë pas një ecurie në kufijtë e perfektes, gjë që i ka ngjitur në vendin e dytë të renditjes, ndërsa kurbinasit rigjetën qetësinë, pasi në stol u rikthye tekniku Besnik Prenga.

Dy sfidat e fundit të javës, do të luhen të dielën në orën 14:00, kur Kukësi do të presë Kastriotin e vendit të fundit, në një ndeshje ku fitorja është detyrim, për të mbajtur gjallë ëndrrën për të fituar titullin kampion për herë të dytë në histori.

Po në të njëjtën orë, Partizani do të zbresë në fushën e Gjirokastrës, për t’u përballur me Luftëtarin vendas, që vjen me moral të lartë pas fitores së djeshme 2-3 në Korçë përballë Skënderbeut.

Gjithsesi vlen të theksohet se pavarësisht rezultateve që do të prodhojë kjo javë, është përcaktuar tashmë kampionia e dimrit, që do të jetë pikërisht Partizani, me të kuqtë që kryesojnë renditjen me 36 pikë, 4 më tepër se Teuta ndjekëse.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency