Javier Pastore: Interi? Ka kontakte, Sabattini miku im, por…
Ka kohë që flitet për një rikthim të mundshëm të Javier Pastores në Serinë A, në radhët e Interit, dhe tani është vetë futbollisti argjentinas që i pranon kontaktet me zikaltrit. Sigurisht që kur në mes është nje personazh si Walter Sabattini, i cili vite më parë e mori te Palermo, gjithçka është e mundur. Janë të gjitha rrethanat që 28-vjeçari të ketë si destinacion të ardhshëm klubin milanez.
“Zërat për një kalim timin tek Interi? Menaxheri im ka patur disa kontakte me ta, por pa arritur një marrëveshje. Është një klub që më pëlqen shumë dhe, nëse do të largohem nga PSG, kampionati italian mbetet ai i preferuari.”
Një operacion që mund të përmbyllet me sukses, por sigurisht nuk do të jetë e lehtë.
“Drejtorin teknik të Interit, Walter Sabattinin, i cili më ka marrë te Palermo, e kam mik. Flasim shpesh me njëri-tjetrin, por nuk ka asgjë më shumë. Kam lexuar sikur u kam thënë lamtumirë shokëve të mi te PSG, por kjo nuk është e vërtetë. Gjithmonë kam dhënë më të mirën e mundshme për PSG-në. Javët e fundit kam luajtur më shumë dhe jam shumë i kënaqur. Kam edhe një vit e gjysmë kontratë, kështu që jam i qetë.”



