Javier Tebas paralajmëron Realin dhe Barcelonën
Javier Tebas, president i Ligës Spanjolle, foli në lidhje me fatin e mundshëm të Realit të Madridit, Barcelonës dhe Juventusit pas çështjes së Superligës. Nga sa duket, të paktën nga fjalët e numrit 1 të futbollit spanjoll, klubet në fjalë duhet të shqetësohen.
“Mendoj se mund të mbeten jashtë Champions League. Ideja e Superligës është një ëndërr e Florentino Perezit prej kohësh, nuk është një çështje e lidhur me COVID-19, siç provuan ta shesin. Koncepti nuk është se ka vdekur. Ata duan që gjithçka të rrotullohet rreth klubeve të mëdha dhe të tjerët të jenë figurantë. Ata që duhet të kenë frikë janë Reali i Madridit dhe Barcelona. Nuk dua ta imagjinoj një Champions pa ta, por mund të ndodhë. Nuk besoj se do të ndodhë në formë dënimi nga ana e UEFA-s, por mund të mos regjistrohen në Champions League”.
Me merkaton e verës që hyn në fazat e saj më të nxehta, dhe përfshin edhe disa nga “yjet” më të mëdha, Tebas foli edhe për transferimin e mundshëm të Kylian Mbappesë te Reali i Madridit.
“Mund të bëhet. Do të ishte diçka e mirë për gjithë La Ligan. Besoj se çelësi i zgjidhjes është Bale, për peshën që ka në zërin e pagave. Por e shikoj të pamundur që një skuadër të marrë njëkohësisht si Mbappenë dhe Haalandin”.
Një temë e rëndësishme në Spanjë është dhe ajo e largimit të Zinedine Zidane nga Reali i Madridit.
“Do të kisha preferuar të qëndronte në La Liga, por nëse ikën, kjo ndodh pasi është i pakënaqur në Madrid. Nuk më çuditi ajo që tha për Perezin”.
Nga Madridit te Barcelona, në lidhje me temën “Lionel Messi”.
“Besoj se në fund do të qëndrojë, por nuk do të bëjmë asgjë në La Liga që ta favorizojmë. Rregullat vlejnë njëlloj për të gjithë dhe nuk do të modifikojmë atë që ka të bëjë me tavanin e pagave”.



