Jo flamurëve LGBT në Katar, shefi i sigurisë: Nëse e shoh në stadium, do ta heq menjëherë!
Kur mbeten edhe pesë muaj nga starti i Botërorit të Katarit, tashmë kanë nisur të ndjehen “ethet” e eventit më madhor në futboll, teksa së fundmi janë përcaktuar edhe grupet duke shuar kureshtjen për përballjet e fazës së parë.
Ndërkohë, në Katar, organizatorët vijojnë punën për të siguruar një Botëror shembullor ndërsa objektivi është që në stadium të mos krijohen akte dhune, racizimi dhe të tjera skena të cilat dëmtojnë imazhin e Katarit. Kështu, shefi i sigurisë në Botërorin e Katarit, Abdulaziz Abdullah al-Ansari, theksoi se në stadiumet e Katarit do të jetë e ndaluar të futen flamuj në mbështetje të lëvizjes LGBT.
“Nëse një tifoz do të ngrejë flamurin në mbështetje të LGBT, atëherë do të shkoj personalisht dhe do t’ia heq nga duart. Kjo jo sepse kam diçka kundër tyre, por për të garantuar sigurinë pasi turma mund të reagojë në një mënyrë tjetër. Unë nuk mund të garantoj si mund të sillen persona të ndryshëm në stadium dhe do t’i kërkoj me mirëkuptim që ta largojnë atë flamur nga stadiumi dhe nëse duan që të japin një mesazh atëherë le ta bëjnë jashtë impianteve sportive dhe në një hapësirë ku pranohet.
Unë jam përgjegjës për të menaxhuar eventin dhe se çfarë ndodh jashtë stadiumit nuk më përket mua, tifozët kanë blerë biletën për në stadium dhe për të parë një ndeshje futbolli dhe jo për të përçuar mesazhe politike apo për të mbrojtur një ideal”, u shpreh Abdulaziz Abdullah al-Ansari.



