Jo më kot e duan të gjithë, Ancelotti unik edhe në urimin për Benzema-Courtois
Reali i Madridit ishte protagonist në ceremoninë e zhvilluar rreth fituesit të Topit të Artë në Paris. Edhe pse skuadra më e mirë e vitit u shpall Manchester City, “Los Blancos” krenohen me fituesin Karim Benzema dhe Thibaut Courtois, fituesi i “Lev Yashin”, që i akordohet portierit më të mirë.

Trajneri i kampionëve të Spanjës dhe Europës, Carlo Ancelotti ka uruar dy lojtarët e tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Tekniku italian, i vetmi që është shpallur kampion në pesë ligat kryesore të kontinentit dhe i vetmi me katër trofe Championsi, ka shprehur gjithë gëzimin e tij në lidhje me portierin belg dhe goleadorin francez.
“Është nder të stërvitësh portierin më të mirë në botë dhe Topin e Artë. Urime për miqtë e mi Thibaut dhe Karim”, shkruan trajneri i njohur, fjalë që tregojnë raportin fantastik dhe atmosferën e shkëlqyer që ekziston te Reali i Madridit.
Skuadra historike spanjolle vazhdon të dhurojë emocione për tifozët. Në fundjavë erdhi suksesi i shumëpritur ndaj Barcelonës në El Clasico, teksa djemtë e Carlo Ancelottit, të cilët e nisën me fitimin e Superkupës së Europës, janë të pathyeshëm në sezonin 2022/2023.




