Jo vetëm Asllani e Lukaku, Liga e Serisë A zbulon edhe dy afrime të tjera të Interit
Shkon në katër numri i futbollistëve të afruar zyrtarisht te Interi gjatë kësaj merkatoje verore. Deri tani zikaltrit kanë prezantuar vetëm mesfushorin e kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani dhe sulmuesin belg Romelu Lukaku, i cili u rikthye nga Chelsea në formë huazimi.
Megjithatë Liga e Serisë A ka zbuluar sot edhe dy emra të tjerë që janë zyrtarisht pjesë e zikaltërve. Bëhet fjalë për portierin kamerunas, Andres Onana dhe fantazistin armen Heinrikh Mkhitaryan.
Që të dyve u përfundoi kontrata me klubet përkatëse Ajax dhe Roma, dhe ishte konfirmuar marrëveshja me Interin, megjithatë vetëm sot u depozituan kontratat në Ligën e Serisë A, duke u bërë edhe zyrtarisht pjesë e zikaltërve.
Ndërkohë të hënën janë prenotuar vizitat për mbrojtësin anësor Raoul Bellanova, i cili do të vijë nga Cagliari dhe më pas do të tentohet firma me Bremer nga Torino e Milenkovic, nga Fiorentina, por me këtë të fundit që lidhet ngushtë me të ardhmen e Milan Skriniar.
Mbetet ende në pritje Paulo Dybala, që ka një akord paraprak me zikaltrit, por që nuk mund të firmosë, pa u larguar më parë ndonjë nga emrat si Sanchez, Correa e Dzeko në sulm, pasi aktualisht në dispozicion të Inzaghit janë 5 sulmues dhe nuk mund të shtohet edhe një i gjashtë.



