Jo vetëm derbi, Teuta-Kukësi dhe Vllaznia-Skënderbeu, “antipasta” e javës së 6-të
Java e 6-të e Kategorisë Superiore nuk është vetëm derbi mes Tiranës dhe Partizanit pasi këtë të shtunë në orën 16:00 luhen 4 takimet e tjera të këtij raundi, 4 sfida interesante dhe shumë të bukura për t’u parë që do të transmetohen të gjitha live në ekranin e Supersport. Vëmendjen kryesore e merr sfida e Niko Dovanës mes Teutës dhe Kukësit, aty ku përballë njëri-tjetrit do të vendosen dy miq të vjetër si Shkëmbi dhe Duro. Teuta ka grumbulluar 8 pikë në këto 5 javë të para ndërkohë që Kukësi ka 2 pikë më shumë. Vështirë të parashikohet sesi do të përfundojë kjo ndeshje por verilindorët janë favoritë për të marrë tre pikët. Në Shkodër, Vllaznia pas uljes së dënimit nga Apeli ka paguar gjobë dhe do të luajë me tifozë ndaj Skënderbeut një ndeshje të cilën shkodranët do të tentojnë ta fitojnë por problemi më i madh i Vllaznisë në këtë periudhë është gjetja e golit. Në krahun tjetër korçarët e Dajës vinë pas suksesit ndaj Teutës dhe janë të motivuar për të bërë mirë edhe në transfertën e Loro Boriçit. Ndërkohë në Gjirokastër Luftëtari pret Laçin në një ndeshje ku Starova është i detyruar të fitojë nëse dëshiron të qëndrojë ende në stoliun e Laçit. Bylis nga ana tjetër që i ka bërë një nisje fantastike këtij sezoni pret në Adush Muça, Flamurtarin e 1001 halleve me objektivin për të marrë tre pikët. Në këtë sfidë mallakastriotët e Dovedan do të kenë në dispozicion edhe kapitenin Valentino Murataj.



