Serie A

Jo vetëm eliminimi nga Kupa, Milani humb edhe dy futbollistë në derbi

Milani i dha fund aventurës në Kupën e Italisë pikërisht në çerekfinale, ku humbi 2-1 ndaj Interit, megjithatë dëmet e derbit janë shumë më të mëdha për skuadrën e Stefano Piolit, pasi ky i fundit ka humbur edhe dy futbollistë të tjerë.

I pari është mbrojtësi danez Simon Kjaer që u zëvendësua në pjesën e parë për një problem muskulor, ndërsa ekzaminimet mjekësore sot kanë konfirmuar mungesën e tij për ndeshjen e të shtunës ndaj Bolognës.

Sipas klubit kuqezi, javën e ardhshme 32-vjeçari danez do t’u nënshtrohet të tjera ekzaminimeve për të parë ecurinë e rikuperimit, por gjasat janë që të mbetet jashtë fushave për një periudhë 2-3 javore.

Emri tjetër që ka shfaqur probleme, është ai i spanjollit Brahim Diaz, i cili ka gjithashtu një dëmtim të lehtë muskulor dhe vështirë se mund të jetë gati për ndeshjen e të shtunës ndaj Bolognës.

Pikërisht mungesa e Diaz i shton telashet për Piolin, pasi nuk ka në dispozicion as fantazistin tjetër Hakan Calhanoglu, i cili vijon të jetë pozitiv ndaj koronavirusit dhe tekniku kuqezi do të duhet të sajojë një futbollist për të luajtur pas shpinës së Ibrës, duke qenë se eksperimenti me Meite dështoi.

Sa i përket mbrojtjes ka një balotazh mes francezit Kalulu dhe blerjes më të re, Fikayo Tomori, për një vend titullari në krah të kapitenit Alessio Romagnoli. Sfida me Bolognën është mjaft delikate për kuqezinjtë, që vijnë pas dy humbjeve radhazi dhe do të kërkojnë reagimin.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency